Συνολικές προβολές σελίδας

Κυριακή 2 Αυγούστου 2009

Vishni gjithë armët e Perëndisë


Vishni gjithë armët e Perëndisë

Pra, vëllezër të mi, forcohuni në Zotin dhe në pushtetin e fuqisë së tij.
Vishni gjithë armët e Perëndisë, që të mundeni t’u qëndroni kundër mjeshtërive të djallit; sepse lufta jonë nuk është kundër gjaku dhe mishi, po kundër autoriteteve, kundër pushteteve, kundër mbretërve të errësirës së kësaj jete, kundër shpirtrave të së keqes në qielloret.
Prandaj merrni me vete gjithë armët e Perëndisë, që të mund të qëndroni kundër në ditën e keqe, dhe si t’i keni bërë gati të gjitha, të qëndroni më këmbë.
Qëndroni pra, më këmbë të ngjeshur në brezin tuaj me të vërtetën, dhe të veshur me parzmoren e drejtësisë,
edhe me këmbë të mbathura me gatishmërinë për ungjillin e paqes,
duke marrë mbi të gjitha mburojën e besimit, me të cilin do të mund të shuani gjithë shigjetat e zjarrta të të ligut.
Edhe merrni përkrenaren e shpëtimit, dhe thikën e Shpirtit, që është fjala e Perëndisë,
duke u falur në Shpirt në çdo kohë me çdo lloj faljeje e lutjeje, dhe mbi gjithë këtë duke ndenjur zgjuar me çdo durim e lutje për gjithë shenjtorët,
dhe për mua, që të më jepet fjalë për të hapur gojën time, që me guxim të bëj të njohur misterin e ungjillit,
për të cilin unë jam lajmëtar në pranga, që të flas për atë me guxim, siç më duhet të flas.

(Efesianëve kap 6 varg.10-20)

Lum ata





• Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
• Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.
• Lum ata që janë të butë, sepse ata do të trashëgojnë dhenë.
• Lum ata që kanë uri e etje për drejtësinë, sepse ata do të ngopen.
• Lum ata që janë përdëllimtarë, sepse ata do të përdëllehen.
• Lum ata që kanë zemër të pastër, sepse ata do të shohin Perëndinë.
• Lum ata që bëjnë paqe, sepse ata do të quhen bij Perëndie.
• Lum ata që ndiqen për punë drejtësie, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
• Të lumtur jeni ju, kur t’ju poshtërojnë e t’ju përndjekin, e të thonë kundër jush çdo lloj fjale të keqe me gënjeshtra për shkakun tim.
• Gëzohuni e gazmohuni, sepse paga juaj është e shumtë në qiej. Sepse kështu përndoqën edhe profetët që kanë qenë përpara jush.

(Mattheu kap 5,vargu 3-12)

Kush të dojë të vijë pas meje


Kush të dojë të vijë pas meje

Pastaj u thoshte të gjithëve: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrerë kryqin e tij përditë dhe le të vijë pas meje. Sepse kush të dojë të shpëtojë jetën e tij, do ta humbë; dhe kush të humbë jetën e tij për mua, ky do ta shpëtojë. Sepse ç’dobi ka njeriu, në fitoftë gjithë botën e të humbë veten e tij a ta dëmtojë? Sepse kush të ketë turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe i Biri i njeriut do të ketë turp për këtë, kur të vijë në lavdinë e tij e të Atit e të engjëjve të shenjtë. Edhe po ju them juve me të vërtetë se janë disa prej këtyre që rrinë këtu, të cilët nuk do të provojnë vdekje, deri sa të shohin mbretërinë e Perëndisë.
(Lluka kap 9,varg 23-27)

Në ardhtë ndonjë tek unë dhe nuk mërzit të atin e të ëmën e gruan e djemtë e vëllezërit e motrat, po edhe shpirtin e tij, nuk mund të jetë nxënësi im. Edhe ai që nuk mban në krahë kryqin e tij e s’vjen pas meje nuk mund të jetë nxënësi im.
(Lluka kap 14,varg 26-27)

Edhe ai u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se nuk ka asnjë që la shtëpi, a prindër, a vëllezër, a grua, a djem, për shkak të mbretërisë së Perëndisë,
i cili të mos marrë shumë më tepër në këtë kohë, dhe në jetën që vjen jetë të përjetshme.

(Lluka 18 vargu 29-30)

Kisha



U thotë atyre: Po ju cili thoni se jam unë? Edhe Simon Pjetri u përgjigj e tha: Ti je Krishti, i biri i Perëndisë së gjallë. Edhe Jisui u përgjigj e i tha: I lumtur je ti, Simon, bir i Jonait, sepse mish dhe gjak nuk ta zbuloi ty këtë, po Ati im që është në qiejt. Edhe unë po të them se ti je Pjetër (shkëmb), dhe përmbi këtë shkëmb do të ndërtoj kishën time; dhe dyert e hadit nuk do të kenë fuqi përmbi të. Edhe do të të jap ty kyçet e mbretërisë së qiejve; dhe ç’të lidhësh mbi dhe, do të jetë lidhur në qiejt; dhe ç’të zgjidhësh mbi dhe, do të jetë zgjidhur në qiejt.

(mattheu kap 16,vargu 15-19)

Edhe në mos i dëgjoftë ata, thuaja këtë kishës; e në mos e dëgjoftë edhe kishën, atëherë le të jetë ai si pagani e tagrambledhësi. Me të vërtetë po ju them juve, ç’të lidhni mbi dhe, do të jenë lidhur në qiell; dhe ç’të zgjidhni mbi dhe, do të jenë zgjidhur në qiell.

(mattheu kap 18,vargu 17-18)

Engjëjt e Shenjte



Engjëjt e Shenjte

një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit në Egjipt e i thotë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe shko në dhe të Izraelit; sepse vdiqën ata që kërkonin jetën e djalit.
(mattheu kap 2 vargu 19


Edhe engjëlli u përgjigj e u tha grave: Mos kini frikë, sepse e di se kërkoni Jisuin që u kryqëzua.
Nuk është këtu, sepse u ngjall, siç pati thënë. Ejani, shihni vendin ku dergjej Zoti.
Edhe shkoni shpejt e u thoni nxënësve të tij se u ngjall prej së vdekurish; dhe ja tek po shkon ai më përpara se ju në Galile; atje do ta shihni atë. Ja tek jua thashë juve.
(mattheu kap 28,vargu 5-7)


Edhe iu shfaq atij një engjëll i Zotit duke ndenjur në të djathtë të altarit të temjanit.
Edhe Zaharia kur e pa, u drodh dhe frikë ra mbi të. Po engjëlli i tha: Mos u frikëso, Zahari, sepse lutja jote u dëgjua, dhe gruaja jote, Elisabeta, do të të lindë djalë, dhe do t’ia quash emrin Joan. Edhe ti do të kesh gëzim e gaz; dhe shumë veta do të gëzohen për lindjen e tij. Sepse do të jetë i madh përpara Zotit, dhe verë e pije të forta nuk do të pijë, dhe me Shpirt të Shenjtë do të mbushet që nga barku i së ëmës. Edhe shumë nga të bijtë e Izraelit ka për t’i kthyer në Zotin Perëndinë e tyre. Edhe ai do të vijë përpara atij me frymë e me fuqi të Ilias, për të kthyer zemrat e etërve mbi bijtë dhe të pabindurit në urtësinë e të drejtëve, për t’i bërë gati Zotit një popull të përgatitur. Edhe Zaharia i tha engjëllit: Si ta marr vesh këtë punë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime e vjetër në ditët e saj. Edhe engjëlli u përgjigj e i tha: Unë jam Gavrili që rri përpara Perëndisë; dhe u dërgova që të të flas ty dhe të të jap lajmin e mirë për këto punë. Edhe ja tek do të jesh pa gojë e nuk do të mundësh të flasësh deri në atë ditë që do të bëhen këto; sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre.
(lluka kap 1 vargu 11-20)



Edhe në të gjashtin muaj, engjëlli Gavril u dërgua prej Perëndisë në një qytet të Galilesë, që e kishte emrin Nazaret, te një virgjëreshë, që ishte fejuar me një burrë, që quhej Josif, prej shtëpisë së Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Mariam. Edhe engjëlli kur hyri tek ajo, tha: Gëzohu, o hirplotë. Zoti është bashkë me ty. E bekuar je ti në mes të grave. Edhe ajo, kur e pa, u turbullua për fjalën e tij; dhe mendohej ç’të jetë vallë kjo përshëndetje? Edhe engjëlli i tha: Mos u tremb, Mariam; sepse gjete hir pranë Perëndisë. Edhe ja tek do të mbetesh shtatzënë, dhe do të lindësh djalë, dhe do t’ia quash emrin Jisu. Ky do të jetë i madh, dhe Bir i të Lartit do të quhet; dhe Zoti Perëndi do t’i japë atij fronin e Davidit, atit të tij. Edhe do të mbretërojë në shtëpinë e Jakovit në jetë të jetëve, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim. Edhe Mariami i tha engjëllit: Si do të jetë kjo punë, sepse unë s’njoh burrë? Edhe engjëlli u përgjigj e i tha: Shpirti i Shenjtë do të vijë mbi ty, dhe fuqia e të Lartit do të të hiesojë; prandaj edhe ajo foshnjë e shenjtë që lind prej teje do të quhet Bir Perëndie. Edhe ja Elisabeta, farefisi yt, edhe ajo mbeti shtatzënë me bir në pleqëri të saj, dhe ky muaj është i gjashti i asaj që quhet shterpë. Sepse s’ka punë që të jetë e pamundur për Perëndinë. Edhe Mariami tha: Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua sipas fjalës sate. Edhe engjëlli iku prej saj.
(lluka kap 1,vargu 26-38)



Edhe ja një engjëll i Zotit erdhi tek ata, dhe lavdia e Zotit ndriti rreth tyre, dhe u trembën me frikë të madhe. Edhe engjëlli u tha atyre: Mos u frikësoni, sepse ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin. Sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht. Edhe kjo do të jetë shenja për ju, do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd. Edhe papandehur, bashkë me engjëllin u duk një shumicë ushtrie qiellore, duke lavdëruar Perëndinë, e duke thënë: Lavdi Perëndisë që është në të lartat, edhe paqe mbi dhe, pëlqim në njerëzit. Edhe si ikën engjëjt prej tyre në qiell, njerëzit, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: Le të shkojmë tani në Betlehem e të shohim këtë punë që është bërë, të cilën Zoti na e tregoi.
(lluka kap 2,vargu 9-15)

Kremtimet e Hyjlindëses




Kremtimet e Hyjlindëses
Jane 9 kremtimet te cilat kushtohen personit te se Tërëshenjtës

1. Lindja e Hyjlindëses Mari. 8 Shtator.
2. Hyrja në Tempull e Hyjlindëses Mari. 21 Nentor
3. Ungjëllizimi i Hyjlindëses (Vangjelizmoi). 25 Mars
4. Paraqitja e Zotit Jisu Krisht në Tempull (Ipapandia). 2 Shkurt
5. Zënia e Shën Anës, nënës së Hyjlindëses Mari. 9 Dhjetor
6. Fjetja e Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari. 15 Gusht
7. Mbrojtja e Hyjlindëses Mari. 1 Tetor
8. Rroba e Hyjlindëses në Vllahernë. 473 m.k 2 Korrik
9. Vendosja e brezit të Hyjlindëses Mari 530 m.k 31 Gusht

Nena e Zotit



Edhe lindja e Jisu Krishtit kështu ka qenë; pasi u fejua e ëma e tij, Maria, me Josifin, përpara se të bashkoheshin, u gjend shtatzënë nga Shpirti i Shenjtë.
(mattheu kap1,varg 18)

Edhe si erdhën në shtëpi, gjetën djalin bashkë me të ëmën, Marinë, dhe ranë mbi dhe e iu falën atij, dhe si hapën thesaret e tyre, i prunë atij dhurata, ar e temjan e miro.
(mattheu kap2,varg 11)

Edhe pasi ikën ata, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit, duke thënë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, dhe ik në Egjipt. Dhe rri atje deri kur të të them ty, sepse Irodi do të kërkojë djalin që ta vrasë.
(mattheu kap2,varg 13)

Edhe si vdiq Irodi, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit në Egjipt
e i thotë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe shko në dhe të Izraelit; sepse vdiqën ata që kërkonin jetën e djalit.
(mattheu kap2,varg 19-20)

Edhe ndërsa ai ishte duke i folur turmës, ja e ëma dhe të vëllezërit e tij tek po rrinin jashtë, e kërkonin të flisnin me të.
Atëherë një njeri i tha atij: Ja nëna jote dhe vëllezërit e tu tek po rrinë jashtë, e kërkojnë të flasin me ty.
Po ai u përgjigj e i tha atij që tha këtë: Cila është nëna ime, dhe cilët janë vëllezërit e mi?
Edhe shtriu dorën e vet mbi nxënësit e tij, e tha: Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
Sepse kush të bëjë dëshirën e Atit tim që është në qiejt, ai më është vëlla dhe motër dhe nënë.
(mattheu kap 12,varg 46-50)

A nuk është ky i biri i mjeshtrit? E ëma e tij a nuk quhet Mariam, dhe të vëllezërit e tij Jakov dhe Josi dhe Simon dhe Juda?
(mattheu kap 13,varg 55)

Vijnë pra të vëllezërit dhe e ëma e tij, dhe si qëndruan jashtë, dërguan tek ai që ta thërrasin. Edhe turma rrinte rreth tij; dhe i thanë atij: Ja nëna jote dhe vëllezërit e tu po të kërkojnë jashtë. Po ai iu përgjigj atyre, duke thënë: Cila është nëna ime ose cilët janë vëllezërit e mi? Dhe si hodhi sytë rrotull mbi ata që rrinin pranë tij, tha: Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi. Sepse ai që të bëjë vullnetin e Perëndisë, ky është im vëlla, dhe ime motër, dhe nëna.
(marku kap 3,varg 31-35)

Edhe thërriti me zë të madh, e tha: E bekuar je ti në mes të grave, dhe e bekuar është pema e barkut tënd. Edhe nga më ngjau kjo, të vijë e ëma e Zotit tim tek unë?
(luka kap 1,varg 42- 43)


Edhe Simeoni i bekoi ata, dhe i tha Mariamit, nënës së tij: Ja ky tek është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael, dhe për shenjë kundërshtimi. Edhe ty vetë shpirtin një shpatë ka për ta depërtuar, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave.
(luka kap 2,varg 34- 35)

Edhe si mbaruan ditët, në kthim të tyre, djali Jisu mbeti prapa në Jerusalem; dhe Josifi dhe e ëma nuk e dinë.
(luka kap 2,varg 43)


Edhe kur e panë atë, u habitën; dhe e ëma i tha: O bir, ç’na bëre kështu? Ja, po të kërkojmë me pikëllim. Edhe ai u tha atyre: Pse më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në punët e Atit tim? Po ata nuk e kuptuan fjalën që u tha atyre. Edhe zbriti bashkë me ta dhe erdhi në Nazaret; dhe u bindej atyre.
(luka kap 2,varg 43)

Edhe erdhën tek ai e ëma edhe vëllezërit e tij, dhe nuk mundnin prej turmës t’i afroheshin. Edhe e lajmëruan, duke thënë: Nëna jote dhe vëllezërit e tu po rrinë jashtë dhe duan të të shohin. Po ai u përgjigj e u tha atyre: Nënë e vëllezër më janë këta që dëgjojnë fjalën dhe e bëjnë.
(luka kap 8,varg 19-21)


Edhe të tretën ditë u bë dasmë në Kana të Galilesë, dhe e ëma e Jisuit ishte atje. Edhe u ftua në dasmë edhe Jisui dhe nxënësit e tij. Edhe si mbaroi vera, e ëma e Jisuit i thotë: S’kanë verë. Jisui i thotë: Ç’ke ti me mua, o grua? Ora ime ende s’ka ardhur. E ëma e tij u thotë shërbëtorëve: Bëni ç’t’ju thotë.
(joani kap 2,vargu 1-5)

Pastaj zbriti në Kapernaum, ai dhe e ëma e të vëllezërit dhe nxënësit e tij; dhe ndenjën atje jo shumë ditë.
(joani kap 2,vargu 12)


Edhe pranë kryqit të Jisuit ishin duke ndenjur e ëma dhe e motra e së ëmës së tij, Maria, gruaja e Klopait, dhe Maria Magdalena.
Jisui pra kur pa të ëmën dhe nxënësin që donte duke ndenjur pranë, i thotë së ëmës: Grua, ja yt bir. Pastaj i thotë nxënësit: Ja jot ëmë. Edhe nxënësi që atëherë e mori në shtëpinë e tij.
(joani kap 19,vargu 25-27)

Edhe kur hynë, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku kishin të ndenjurit Pjetri dhe Jakovi dhe Joani e Andrea, Filipi dhe Thomai, Vartholomeu dhe Matheu, Jakovi i biri i Alfeut dhe Simon Zeloti, dhe Juda, i vëllai i Jakovit. Këta të gjithë ishin duke qëndruar me një zemër në falje e në lutje, bashkë me gratë, dhe me Marinë, të ëmën e Jisuit, dhe bashkë me të vëllezërit e tij.

(veprat kap 1,vargu 13-14)
* * *

Hyjelindesja


Edhe Mariami tha

• Shpirti im madhëron Zotin,


• edhe shpirti im u gëzua në Perëndinë shpëtimtarin tim,


• sepse hodhi sytë mbi përuljen e shërbëtores së tij, sepse ja që tani e tutje gjithë brezat do të më lumturojnë,


• sepse i Fuqishmi bëri punë të mëdha tek unë, dhe i shenjtë është emri i tij.


• Edhe përdëllimi i tij është brez pas brezi mbi ata që e kanë frikë.


• Bëri pushtet me krahun e tij; shpërndau kryelartë për mendimin e zemrës së tyre;


• rrëzoi të fuqishëm prej fronesh dhe lartësoi njerëz të përulur.


• Të uritur i mbushi me të mira dhe të pasur i dërgoi jashtë zbrazët.


• I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të tij, duke sjellë ndër mend përdëllimin e tij,


• siç u foli etërve tanë, Abrahamit e farës së tij, për jetë të jetës.

(luk.kap1,varg.46-55)

Dhjetë Urdhërimet

Dhjetë Urdhërimet

1. Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxorri nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë. Nuk do të kesh perëndi të tjera para meje!


2. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet lart në qiejt ose poshtë në tokë, ose në ujërat nën tokë. Nuk do të falesh para tyre dhe as do t'i shërbesh, sepse unë, Zoti Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, por që jam i mëshirshëm për mijëra breza për ata që më duan dhe i zbatojnë urdhërimet e mia!


3. Nuk do ta përdorësh kot emrin a Zotit, të Perëndisë tënd, sepse Zoti nuk do të lërë të pandërshkuar atë që përdor kot emrin e tij!


4. Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar. Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjthë punën tënde: por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe dheun, detin dhe gjithshka që është në to, dhe ditën e shtunë Ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shtunë dhe e ka shenjtëruar atë!


5. Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, që ditët e tua të jenë të gjata mbi dheun që Zoti, Perëndia yt po të jep!


6. Mos vrit!


7. Mos shkel kurorën!


8. Mos vidh!


9. Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd!


10. Mos lakmo shtëpinë e të afërmit tënd; mos lakmo gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij dhe asnjë gjë që i përket të afërmit tënd!

Eksodi 20:1-17

Një porosi e re e Jezu Krishtit

Një porosi të re ju lë juve: Të doni njëri-tjetrin, siç ju desha unë ju edhe ju të doni njëri-tjetrin.
(Joani kap 13,vargu 34)

Σάββατο 1 Αυγούστου 2009

Besoj

I.- Besoj në një Perëndi, Atë të tërëfuqishëm, krijues të qiellit dhe të dheut dhe të gjithë të dukurave dhe të padukurave.

II.- Dhe në një Zot, Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve. Dritë prej drite, Perëndi të vërtetë, prej Perëndie të vërtetë, të lindur, jo të bërë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të cilit u bënë të gjitha.

III.- Që për ne njerëzit edhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiejve, dhe u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë edhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri.

IV.- Dhe u kryqëzua për ne në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi e u varros.

V.- Dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve.

VI.- Dhe u ngjit në qiejt dhe rri në të djathtë të Atit.

VII.- Dhe do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit, mbretëria e të cilit nuk do të ketë mbarim.

VII.- Dhe në Shpirtin e Shenjtë, Zot, jetëbërës, që buron prej Atit, që adhurohet e lavdërohet bashkë me Atin e me Birin, që foli me anën e profetëve.

IX.- Në një Kishë të shenjtë, të përgjithshme dhe apostolike.

X.- Pohoj një pagëzim për ndjesën e mëkateve.

XI.- Pres ngjalljen e të vdekurve.

XII.- Dhe jetën e ardhshme të amëshuar.
Amin.

Te nderuar visitor

Te nderuar visitor,
_
Kjo faqe eshte faqe e te Krishtereve Orthodhokse
_

Nuk ka karakter fitimprures,
_

Eshte e lejueshme perhapja e saj jofitimprurese
_

Eshte ne funksionim nga urdheresa e Dashurise
_

Qellimi I saj eshte perhapja e se Vertetes

Të bëjmë njeriun

Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe".

Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.

Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: "Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë".

Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë.


(gjeneza kap 1 zgjedhje nga vargjet 26-31)

Pastaj Perëndia tha

Pastaj Perëndia tha: "Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera". Dhe kështu u bë.

Dhe Perëndia e quajti terën "tokë" dhe grumbullimin e ujërave "detë". Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë.

Pastaj Perëndia tha: "Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe drurët frutore të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili simbas llojit të tij". Dhe kështu u bë.

Pastaj Perëndia tha: "Të ketë ndriçues në kupën qiellore…
Perëndia krijoi pastaj dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madhë për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai krijoi gjithashtu yjet.

Pastaj Perëndia tha: "Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore"… Dhe Perëndia i bekoi ato

Pastaj Perëndia tha: "Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, simbas llojit të tyre". Dhe kështu u bë


(gjeneza kap 1,zgjedhje nga vargjet ,6-24)

Në fillim Perëndia krijoi

1 Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.


2 Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave.


3 Pastaj Perëndia tha: "U bëftë drita!". Dhe drita u bë.


4 Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.


5 Dhe Perëndia e quajti dritën "ditë" dhe errësirën "natë". Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë.

(Gjeneza - Kapitulli 1 varg 1-5)

Në fillim ishte Fjala

• Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi,

• Kjo ishte që në fillim me Perëndinë.

• Të gjitha u bënë me anë të saj; dhe pa atë nuk u bë asgjë që është bërë.

• Në atë ishte jetë, dhe jeta ishte drita e njerëzve.

• Edhe drita ndriçon në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.
Joani kap 1 varg 1-5

... Unë jam...




Unë jam buka e jetës. Ai që vjen tek unë, nuk do të ketë uri; dhe ai që më beson, nuk do të ketë etje kurrë.(Joani.kap.6.vargu.35)

Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli. Në ngrëntë njeri prej kësaj buke, do të rrojë për gjithë jetën. Edhe buka që do të jap unë, është mishi im, të cilin unë do ta jap për jetën e botës. .(Joani.kap.6.vargu.51).

Unë jam drita e botës. Ai që më vjen pas, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës. (Joani.kap.8.vargu.12).

Unë jam ai që dëshmoj për veten time, dhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua. (Joani.kap.8.vargu.18).

Me të vërtetë, me të vërtetë, po ju them juve: Para se të lindë Abrahami, unë jam. (Joani.kap.8.vargu.58).

Unë jam dera; në hyftë ndonjë me anën time, do të shpëtojë, dhe do të hyjë, dhe do të dalë, dhe do të gjejë kullotë. (Joani.kap.10.vargu.9).

Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë vë jetën e tij për dhentë. (Joani.kap.10.vargu.11).

Unë jam bariu i mirë, dhe njoh të miat, dhe njihem prej të miave, Siç më njeh Ati edhe unë e njoh Atin; dhe vë jetën time për dhentë. (Joani.kap.11.vargu.14-15).

Unë jam ngjallja dhe jeta. Ai që më beson, edhe në vdektë, do të rrojë. Edhe kushdo që rron e më beson, nuk do të vdesë për gjithë jetën. A e beson këtë? (Joani.kap.11.vargu.25-26).

Unë jam udha dhe e vërteta dhe jeta; asnjë s’vjen tek Ati, veçse me anën time.
Në qoftë se do të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim; edhe që tani e njihni dhe e keni parë.
Kaq kohë jam bashkë me ju dhe s’më ke njohur,? Ai që më ka parë mua, ka parë Atin… (Joani.kap.14.vargu.6-7-8).

Unë jam vreshti i vërtetë, dhe Ati im është bujku. (Joani.kap.15.vargu.1).

Unë jam vreshti, ju jeni hardhitë; ai që mbetet tek unë, dhe unë tek ai, ky bën pemë shumë; sepse pa mua s’mund të bëni asgjë. (Joani.kap.15.vargu.5).

• Jezusi doli e u tha atyre….: Cilin kërkoni?
• Iu përgjigjën: Jezu Nazaretasin. Jezusi u thotë atyre: Unë jam. Edhe bashkë me ta rrinte edhe Juda, ai që e tradhtoi. (Joani.kap.18.vargu.4-5).



Pilati pra i tha: Mbret je ti, pra? Jisui u përgjigj: Ti po thua se unë jam mbret. Unë prandaj linda dhe prandaj erdha në botë, që të dëshmoj për të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës, dëgjon zërin tim. (Joani.kap.18.vargu.37).

Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, thotë Zoti, Ai që është dhe që ishte dhe që vjen, i Gjithëpushtetshmi.(zbulesa e Joanit.kap.1vargu.8).

…unë jam i pari dhe i fundit, edhe ai që rron; dhe qeshë i vdekur, dhe ja tek jam i gjallë në jetë të jetëve. Amin. Edhe kam çelësat e hadit dhe të vdekjes. (zbulesa e Joanit.kap.1vargu.17-18).

Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi. Unë do t’i jap falas nga burimi i ujit të jetës atij që ka etje. (zbulesa e Joanit.kap.21vargu.6).

Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit. (zbulesa e Joanit.kap.22vargu.13).

Unë jam rrënja dhe fara e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit. (zbulesa e Joanit.kap.22vargu.16).